Forumi Horizont | Gjithsej 62 faqe: « E parë ... « 26 27 28 29 30 31 32 33 34 [35] 36 37 38 39 40 41 42 43 44 » ... E fundit » Trego 62 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Grupi A1 (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=231)
-- KS. Dinamo (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2261)
Dinamo, lojtarët në pritje të lekëve
Gjendja vazhdon të mbetet pezull, ndërsa drejtori teknik, Targaj, shpreson te normalizimi i situatës.
Asgje e re nuk ka ndodhur dje në kampin dinamovit, ku situata vazhdon të jetë e turbullt, ndërsa takimi i parashikuar midis drejtuesve të klubit dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Rendit nuk është kryer ende. Ndërkohë, dita e djeshme ka qenë thuajse "e vdekur" dhe në horizont nuk duket asnjë shenjë pozitive, që të bëjë të shpresosh te zgjidhja e problemeve që e kanë kapluar ekipin e Dinamos që prej javës së kaluar. Kjo, pasi të dyja palët në konflikt, presidenti Mihal Delijorgji dhe shefi Gjergji Ruli, duken të vendosur në pozicionet e tyre. I pari kërkon me çdo kusht marrjen e lekëve të dhëna nga UEFA për pjesëmarrjen e skuadrës në kupat e Evropës në dy vitet e fundit, për t'ua shpërndarë më pas lojtarëve. Ndërsa i dyti nuk e pranon një gjë të tillë, duke e quajtur shkelje ligjore.
Nga ana tjetër, futbollistët, të cilët kishin paralajmëruar se do të bojkotonin seancat stërvitore nëse nuk merrnin pagat, nuk pranojnë të prononcohen për shtyp, duke shpresuar te një zgjidhje sa më e shpejtë e situatës. Edhe dje pasdite ata kanë dalë në fushë. Megjithatë, një gjë është e sigurt dhe mjaft e dukshme, se lojtarët bëjnë sikur stërviten. Kjo, ndoshta për të mos humbur formën e mirë sportive, sepse e dinë se, cilido që të jetë përfundimi i kësaj çështjeje, ata do të kthehen sërish në fushën e futbollit. Futbollistët vazhdojnë të tregohen të duruar, por mendjen e kanë te rrogat e pamarra nga presidenti Delijorgji, për të cilat nuk u mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojnë të presin. Edhe takimi i dy ditëve më parë me shefin e klubit, nuk i ka bërë optimistë blutë për një zgjidhje të mundshme të problemeve. Kështu, situata vazhdon të mbetet e tensionuar te Dinamo, që deri diku rrezikon edhe shpërbërjen e saj. Gjendjen kaotike të skuadrës e konfirmon edhe trajneri Sulejman Demollari, i cili përpiqet t'i mbajë të tijtë në tonus, duke kërkuar një stërvitje të rregullt nga të gjithë ata që janë të gatshëm. Ai është shprehur se e vetmja mënyrë për të normalizuar situatën është likuidimi financiar i lojtarëve, në mënyrë që Dinamo të mbetet në po ato synime që ka pasur që në fillim për këtë sezon.
Drejtori teknik i bluve, Mujo Targaj, ka pohuar dje se shumë shpejt do të ketë një takim me presidentin e ekipit, Mihal Delijorgji, ku do të flitet më hollësisht në lidhje me zgjidhjen e problemeve. Sipas Targaj, pritet që ky takim të ndezë dritën jeshile drejt qartësimit përfundimtar të kësaj gjendjeje të vështirë që e ka pushtuar ekipin. Gjithsesi, na duhet të presim ditën e sotme për të parë nëse kjo gjendje e vështirë do të marrë një drejtim të caktuar apo jo.
Gjithsej 62 faqe: « E parë ... « 26 27 28 29 30 31 32 33 34 [35] 36 37 38 39 40 41 42 43 44 » ... E fundit » Trego 62 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.