amoxil
I perjashtuar nga forumi
Regjistruar: 13/06/2004
Vendbanimi: •
Mesazhe: 3949
|
Fragmente nga libri"Post-scriptum mbi diktaturen"shkruar nga V.Qesari
DREJT VDEKJES A LIRISE ?! ...
Himara e kish njohur herët egërsinë komuniste.
Grushti i parë mbi të, kish renë fill pas zgjedhjeve maskaradë të 2 dhjetorit 1945, ku shumë himariotë patën votuar kundër listës së vetme me kandidatë të Frontit Demokratik. Në shenjë hakmarrje, mbi banorët e saj, Partia kish ushtruar një fushatë të egër terrori psikologjik të shoqëruar me denoncime, arrestime e burgosje. Nga frika populli qe tkurrur edhe më tepër brenda vehtes, duke pritur ditë edhe më të këqija.
Shumë njerëz, dhunës e rrezikut të arrestimeve, i'u kundërvunë me të vetmen rrugë të mundëshme shpëtimi: atë të arratisjes jashtë vendit. Në zgjedhjen e një alternative të tillë, propabiliteti i realizimit të qëllimit ishte mjaft i kufizuar, ndërkohë që, mundësia e vdekjes nga plumbat e kufitarëve apo e humbjes së përjetëshme në honet e thella të detit Jon, ishin pothuajse të pa evitueshme.
Arratisjet nga Himara e mbarë Bregdeti, u benë më të shpeshta, sidomos mbas valës së egër të persekutimeve të viteve '60 -'70 e më tej. Gjatë asaj periudhe, veprimtaria e Sigurimit dhe e bashkëpuntorëve të tij, u bë edhe më intensive, ndërkohë që lufta e klasave u ashpërsua më tepër. Drejtuesit dhe militantët e Partisë, si edhe ata të Frontit Demokratik të cilët përgjithësisht ishin bashkëpuntorë të zellshëm e servilë të Sigurimit, 1) provokonin e denonconin pa pushim, individë të ndryshëm që kryenin veprimtari armiqësore.
Për t'i shpëtuar rrezikut të burgosjes e jetës së padurueshme, shumë njerëz vendosnin të rrezikonin, duke shkuar drejt lirisë a ... vdekjes. Kështu, në një tentativë për t'u arratisur me not në ishujt grekë, dy vëllezer nga familja Konomi, u përpinë nga ujërat e detit Jon. Pas tyre, të tjerë grupe të rinjsh, provuan të njejtën gjë, por ose u zhdukën pa lenë gjurmë, ose u kapën e u kalbën burgjeve. Pas kësaj, përgjimet, pabesitë e denoncimet, u benë tiparet më banale të jetës së përditëshme, në mbarë Bregdetin.
Qe kjo arsyeja, pse, shumë individë apo grupe të cilët benin plane për t'u arratisur, arrestoheshin fill pas bisedave të para. Bile, kish ndodhur që, ata të denoncoheshin nga vetë pjestarë të familjes, kushërinj a farefis. Me menyra nga më të ndryshmet, informatorët e Sigurimit, kishin depërtuar brenda çdo familje. Nuk ishte paradoks e as çudi, të dëgjoje që babai denonconte të birin, dajua nipin e, vëllai-vëllain...
... Djaloshi A.Bala nga Himara, së bashku me një shok të ngushtë, kish arritur të ndërtonte fshehurazi, ( në një guvë buzë detit ) një varkë lundrimi për t'u arratisur në Korfuz. Por, pikërisht në çastet e fundit, atëhere kur ish duke e shtyrë atë drejt detit, qe kapur nga rojet e kufirit, të cilët ishin informuar pak orë përpara pikërisht nga shoku i tij më i besuar.
Por, aty nga mesi i shkurtit 1987, E. Stramarko, djali i H. Stramarkos nga Dhërmiu, i cili ndodhej prej vitesh në burg i dënuar për agjitacion e propagandë, kish mundur të arratisej nëpërmjet detit. Djaloshi, me siguri po shkonte drejt vdekjes, por kish qenë vërtet me fat. Ai, kish mundur të rrezistonte gjer në ujrat ndërkombëtare, ku detarët e tragetit të linjes Brindizi-Igumenicë, i kishin shpëtuar jeten, duke i dhuruar njëkohësisht edhe lirinë.
Një vit më pas, i riu P.Mertiri nga Qeparoi, së bashku me shokun e tij nga Narta V. Skarço, në vend të detit zgjodhën kufirin tokësor. Ata, udhëtuan pa probleme gjer matanë fshatit kufitar Peshkëpi, pranë Gjirokastrës. Por, ndërsa ndodheshin fare pranë klonit, një patrullë ushtarësh i diktoi dhe i goditi pa mëshire, me brësheri automatiku.
Djaloshi nga Qeparoi, i bërë shoshë nga plumbat vdiq në vend, ndërsa shoku i tij u plagos rendë. Dy ditë mbas përpjekjes në kufi, organet lokale të Sigurimit, organizuan një spektakël makabër. Banorët e Gjirokastrës e Sarandës u lemerisën kur, mbi karrocerinë e një kamioni i cili shëtiste nëpër rrugë, panë trupin e masakruar të një të riu, lidhur kokë e kembë me tela me gjemba.
1) Sot, kur flitet e diskutohet për ish - diktaturën, shpesh herë shprehet mendimi se, xhelatët kryesorë të viktimave që vdiqën burgjeve e internimeve, ishin vetem aty lart, në KQ të Partisë, në Byronë Politike apo vetë Diktatori. Pa dashur të bëhem aspak mbrojtës i strukturave diabolike që projektuan e zbatuan në masë Genocidin e Madh, do të dëshiroja të kujtoja se, ndër to bente pjesë edhe organizata e Frontit Demokratik, "shtabi" nga ku jepeshin informacione për çdo individ e familje. E pranishme kudo, nëpër qytete e fshatra, ajo kishte veprimtarët e saj, pjesa më e madhe e të cilëve ishin informatorë të zellshëm të Sigurimit. Njerëz të tillë, ishin gati të merrnin në qafë këdo, pa as më të voglën brerje ndërgjegjje. Për motive e interesa të dobëta: për një fletë pune, strehim, bursë, autorizim për blerje televizori apo frigoriferi. Në më të shumtën e rasteve, informatorët i dorëzonin raportet e tyre në dosjet e kryetarëve të Frontit të cilët pastaj u'a kalonin "operativëve" të lagjeve ... ( Shenim i autorit )
- 2 -
Sadizmi i Sigurimit, tronditi mbarë opinionin publik. S'kish ndodhur kurrë që, kufomat të sakatoseshin e të tregoheshin hapur të masakruara në publik. ( Përveçse nga nazistët e fashistet, gjatë luftës së fundit botërore ). Por, veprimi barbar, nuk qe rastësi. Gjithëçka qe organizuar me objektiv e paramendim të caktuar. Mesazhi i autoriteteve qe fare i qartë: të mbillte terror psikologjik e një dozë të re frike, veçanërisht në zonat jugore të vendit, ku njerëzit po tregoheshin si tepër guximtarë. E, përveç kësaj, të përcillte edhe një herë kërcënimin e kobshëm se, ashtu do t'a pësonin gjithë armiqtë e Shqipërisë. Kushdo që do të guxonte të shkelte kufijte e shenjtë të atdheut socialist.
Megjithatë, në zonat e jugut, arratisjet vazhdonin të ishin gjithmonë e më të shpeshta. Pikërisht, që andej ish arratisur në Greqi edhe shkrimtari i ri Bilal Xhaferri, i cili, më pas, kish përfunduar në SHBA. Por, për të, pothuajse nuk u muarr vesh më asgjë.
… Për fat të keq, ky autor mjaft premtues për prozën shqipe, nuk bëri ndonjë tentativë të dukëshme për të bërë të njohur në Perëndim, ferrin stalinist të vendit të vet, ashtu siç vepruan mjaft shkrimtarë e artistë sovjetikë, të cilët kishin mundur të delnin jashtë kufijve të "perandorisë ruse". (...) Bilal Xhaferri, kjo shpresë e letërsisë moderne shqiptare, u fik aty larg, në SHBA. Ai vdiq nga një semundje e pashërueshme e shkaktuar ndofta nga malli për vendlindjen e njerëzit e tij... 1)
Natyrisht, dëshira për t'i shpëtuar ferrit e për të gjetur lirinë përtej bunkerëve e telave me gjëmba, qe endërr edhe për pjesën dërrmuese të minoritetit grek. Kështu, aty nga fillimi i vitit 1988, dy vajza të reja i'a dolën mbanë të kalonin nga fshati i tyre në Greqinë fqinje. Po ashtu, të mikluar nga bota matanë ishin padyshim edhe shumë ushtarë që kryenin shërbimin në kufi. Më 9 prill 1984, dy prej tyre u arratisën ndërsa kryenin patrullimin në piramidë, duke marrë me vehte edhe gjithë armatimin personal.
Por, historia e një ish-oficeri xhenjer të quajtur M.Kola, pat qenë edhe më interesante. I akuzuar si sabotator në projektimin dhe ndërtimin e një ure, e cila qe rrëzuar sapo mbi të kish kaluar tanku i parë, ai qe denuar me 25 vjet burg. Më pas, ai kish mundur të arratisej duke u fshehur në një kamion të ngarkuar me drithë e, mbasi kish mbrritur në rrethinat e Gjirokastrës, qe nisur në kembë drejt kufirit.
Kish udhëtuar pesë ditë e pesë netë, duke u fshehur nëpër shkurre e përrenj. Duke ngrenë fruta të egra e duke pirë në vend të ujit, djersën e trupit të vet. Më 17 gusht 1984, kish mundur të kalonte kufirin e të mbrrinte në tokën greke. Në një intervistë dhenë revistës franceze Le matin, midis të tjerash, ai kish deklaruar se … në ushtrinë shqiptare ushqimi ishte i mjerueshëm. Fasule në mengjez, supë me lakëra në drekë dhe vetëm çaj e bukë në darkë ...
Në gusht 1984, dy motra e një vëlla, Izabela, Zamira e Klement Islami, vendosen të kalojnë me not kanalin e Korfuzit.
Ata rridhnin nga një familje e deklasuar. Gjyshi i tyre, kish qenë myfti e kish vdekur në burg, ndërsa tezja qe arratisur. Më pas, i akuzuar për agjitacion e propagandë, qe denuar dhe Klementi. Gjithë familja u internua në një fshat të Lushnjës. Mbas daljes së Klementit nga burgu, familja Islami, bëri kërkesë të kthehej përsëri në Tiranë. Por, urdhëri nga lart, qe i prerë. Ata, do të jetonin përgjithmonë aty, në Ndërmarjen Bujqësore të Çermës, në Lushnjë.
Duke përfituar nga leja e zakonëshme vjetore, pa rënë në sy, tre të rinjtë u nisën për në Sarandë me planin e fshehtë për t'u arratisur ose ... për të vdekur. Një natë, të pajisur me kamerdare, ata u nisën me not nga një gji shkëmbor matanë qytetit. Kishin parashikuar të benin 14 kilometra rrugë në 4 orë, gjer në takimin e parashikuar me tragetin e linjës, por në fakt, distancën e përshkuan për 11orë. Në intervistën dhenë revisten franceze VSD, ndër të tjera, ata rrëfyen:
…Në fillim, patëm shumë frikë, se mos na diktonin ushtarët e kufirit. Projektorët e rojeve bregdetare, venin e vinin, duke mbuluar plot dritë gjithë sipërfaqjen e detit. Herë pas here, mbi ne binin rrezet e tyre verbuese. Atëhere, për të mos u diktuar, nxitonim të zhyteshim sa më shpejt nenë ujë. Pastaj vazhdonim përsëri të notonim. Gjithmonë pranë e duke i dhenë zemër njëri-tjetrit :
- Edhe pak ... Edhe pak ... Kurajo! Pjesa më e rrezikëshme kaloi. Ja, fare pranë është Liria ! Eshtë Greqia !...
Por, lodhja e tmerrshme e një dëshirë e pashpjegueshme për gjumë, po na prisnin gjithmonë e më tepër fuqitë. Në orën 10 të mengjezit, për fatin tonë të madh, pranë nesh kaloi një jaht dhe ...
Izabela e Zamira mundën të hypin në bord e të shpëtojnë. Me të marrë pakëz vehten, ato nisën të kërkojnë Klementin, vëllain, i cili kish mbetur rreth 100 metra mbrapa.
Kërkuan shumë, por ishte e kotë.
Ai s'dukej gjëkundi.
Të rraskapitur e të dërmuar fizikisht, atë e kishin lenë fuqitë.
Deti e kish përpirë përgjithmonë, në thellësitë e honet e tij të zeza.
PUSHIME TE SURVEJUARA
... Të kaloje pushimet në Kampin e Punëtoreve të Dhërmiut ish një privilegj i rrallë. Natyra e mrekullueshme, ujrat e kaltra e të fresketa, peisazhet shplodhese dhe aroma e kopshteve me agrume - të gjitha këto, pjesa dërmuese e shqiptarëve i kishin parë vetëm në reportazhet e televizionit.
Pushimet në Dhërmi ishin vërtet luks e fat jo i zakonshëm !
Që të arrije të gjëje një fletë-kampi për të pushuar aty, duhej të ishe dikush ose të kishe miq drejtuesit e Bashkimeve Profesionale. Ndërkohë edhe pse kampi qe destinuar për punëtorë, në ndërtesat e tij 30 vjeçare, gjatë verës mund të mbrrinin vetëm 70-80 puntorë të pararojës. Pjesa tjetër, ishin zakonisht funksionarë partie, drejtorë ndërmarjesh e njerëz me influencë në organe e institucione të ndryshme shtetërore.
Tej godinave të vjetra të kampit, mes hijeve të palmave, ullinjve e portokalleve, ndodhej një vilë e madhe e ndërtuar me gurrë të gdhendur ku benin vazhdimisht roje ushtarë të armatosur. Aty pushonte Spiro K, anëtari i përjetshëm i Byrosë Politike. Pranë saj qe edhe vila e anëtareve të Komitetit Qendror ku, ndër të tjerë, për çdo sezon veror qe i abonuar edhe Sofokli L, eksperti i politikës së jashtme të PPSH. Shpesh, atë mund t'a shihje duke ecur kryelartë nëpër rrugicat e gjelbëra të qendrës pushuese, të shoqëruar plot servilizëm nga drejtori i përhershem dhe i pa zëvendësueshem i kampit, Theodhori T. Ky i fundit, çuditërisht, mbante veshje, kapele, xhaketë e çizme ushtarake, duke u dhenë kështu të gjitheve, më tepër përshtypjen e një operativi të Sigurimit, se sa të një drejtori.
Në Dhërmi, veçanërisht gjatë verës, puna e postave kufitare, operativëve të Sigurimit e bashkëpuntorëve të tyre bëhej edhe më intensive. Si zakonisht, gjatë çdo sezoni të tillë, aty caktohej të kalonte pushimet edhe një operativ sigurimi. Atë, mund t'a shihje shpesh nënë hije, buzë detit, gjithmonë me kostumin prej doku gri, pistoletën nenë xhaketë, por kurrë në plazh, me...rroba banje. Detyra e tij, ( si edhe e bashkëpuntoreve të fshehtë, të cilët, zakonisht, punonin aty si, kopshtarë, magazinjerë, kamarierë a roje nate ), ish të hetonin lëvizjet e bisedat e pushuesve. Të vigjëlonin ditë e natë, veçanërisht, për zbulimin e planeve për ndonjë arratisje të mundeshme ...
Ashtu si në plazhet e Sarandës, Himarës e Vlorës edhe në Dhërmi, mbas orës 9 të mbrëmjes, banjat në det qenë të ndaluara. Bashkë me rënjen e muzgut, niste dhe patrullimi i ushtarëve të armatosur, të cilët nuk lejonin askend të qendronte buzë detit. Ndërsa, gjatë ditës, për notarët e pasionuar, distanca e lejuar në det të hapur ish e kufizuar, ndërkohë që, përdorimi i kamerdareve e dyshekëve prej gome qe rreptësisht i ndaluar.
Lidhur me këtë fakt të fundit, më kujtohet një ngjarje, sa orgjinale aq edhe qesharake.
Gjatë verës së vitit 1986, pas shumë përpjekjesh, kisha mundur të gjeja një fletë kampi, për në Dhërmi. Rastësisht, qëlloi që në të njejtën periudhë, të ndodhej aty për pushime, edhe M.H, aso kohe drejtor i përgjithshëm i RTSH. I pasionuar pas rivierës, amator i flaktë i detit e kalitjes fizike, ai kishte sjellë nga udhëtimi i fundit në Austri, një varkë plastike. Qe një varkë e vogël, lara-lara, delikate e që mezi mund të mbante një njeri.
Ishte dita e parë e plazhit dhe, M.H zbriti buzë detit plot kënaqësi.
Nxorri varkën, e fryu mirë e mirë e, pastaj, nenë vështrimin kureshtar e plot zili të plazhistëve përreth, u fut në ujët kristal. Por, kenaqësia e tij nuk zgjati shumë. Pa kaluar as dhjetë minuta, papritmas, aty pranë se nga mbiu një ushtar i djersitur me kallashnikov në dorë. Ai, vrapoi drejt bregut, duke thirrur:
- Ej, shoku qytetar? Ti me varkë ... Kthehu mbrapsh !
Pas pak, M.H, zbriti në tokë duke tërhequr varkën zvarrë mbi zhavor.
I nevrikosur dhe i fyer, ai i tha ushtarit si quhej e se ishte anëtar i KQ të PPSH. Por, ushtari, as që donte t'i a dinte. Ai shpjegoi se, kish marrë urdhër që të ndalonte çfardo lloj mjeti lundrues në det e se, atë duhej t'a zbatonte, pavarësisht nga personi e pozita e tij.
Kështu, drejtori i RTSH, s'mundi t'a përdorë varkën e sjellur nga Austria.
Leja për daljen e saj në det u aprovua vetëm mbasi komandanti i postës kufitare të Dhërmiut, morri autorizimin nga dega e Punëve të Brendëshme të Vlorës, ku specifikohej se M.H, megjithatë, nuk mund të voziste më tepër se 50 metra larg bregut e se, do mbante përgjegjësi të rendë në rast humbje të saj.
( Sepse, mund të ndodhte që t'i a vidhnin e me të, të arratiseshin drejt ishujve të Greqisë... )
ARRATISJET NGA VLORA
... Arratisjet nga Vlora, kishin nisur fill mbas ardhjes së komunistëve në pushtet e pastaj, kishin vazhduar pa rreshtur në vite. Kështu, aty nga mesi i viteve '50, në qytet qe hapur vetëtimthi lajmi për një tentativë të dështuar arratisje. Ngjarja pat bërë bujë, sidomos mes rinisë shkollore, e cila nuk fliste veç për të. Dy gjimnazistë të shkëlqyer në mësime, por nga familje borgjeze, Dh.Doga e H.Bezhani, në fshehtësi të madhe kishin bërë prej kohësh planet për t'u arratisur me not në bordin e një anije të huaj çisternë.
Anija vinte shpesh për t'u furnizuar me naftë e qëndronte në radë, as dy-treqind metra larg shkëmbenjve të Ujit të Ftohtë. Por, plani i guximshëm kish dështuar, pak para realizimit. Ndërkohë që djemtë po hiqnin rrobat e po bëheshin gati të futeshin në det, qenë kapur në flagrancë nga njerëzit e Sigurimit. Siç u muarr vesh më pas, një prej shokëve i kish tradhëtuar, pikërisht disa orë para se ata të niseshin drejt shpresës së lirisë ...
Një arratisje tjetër, e cila pat bërë mjaft jehonë, qe edhe ajo e djaloshit Q.Gjonzenelaj, nip i nacionalistit të flaktë e ish-profesorit të njohur të Shkollës Tregtare, B.Gjonzenelaj. Qamili u arratis teksa kryente shërbimin ushtarak në të ashtuquajturat brigada të punës, ku caktoheshin djemtë e familjeve të deklasuara e me biografi të keqe.
Djalë, i rritur buzë detit, në lagjen Skelë, atlet me fizik të fuqishëm, notar i shkëlqyer e rezistent, ia kish dalë mbanë duke e përshkuar me not, distancën midis Ksamilit dhe ishullit të Korfuzit. Por, ngjarja në fjalë, kish qenë njëherësh edhe një goditje tjetër e rendë për gjithë fisin Gjonzenelaj, i cili gjer atëhere kish vuajtur jo pak, burgjeve e internimeve.
Në rrjedhen e viteve, si në mbarë vendin, seria e arratisjeve nga Vlora, qe vazhdimisht një fenomen në rritje. Të izoluar nga shoqëria, të përgjuar hap pas hapi, të kërcenuar nga arrestmet, internimet e burgjet, të drobitur nga persekutimet, pa shpresë për një jetë tjetër, shumë individë, përfundimisht, vendosnin të arratiseshin. Ai vendim, i marrë në rrethana psikologjike krejt të veçanta e, me shumë deshpërim, në një farë menyre, qe një tentativë për të shkuar me ndergjegjje, më teper drejt vdekjes së sigurtë, se sa drejt ... lirisë.
Në prill 1968 u arratisën në Greqi, e më pas përfunduan në SHBA, të rinjtë Th. Nikolla e Dh.Dilo. Pak me vonë, ndodhi arratisja e S.Gjonit, shofer në kombinatin e konservave. Edhe ai, si shumë të tjerë, kish kohë që përgatitej për të venë në jetë planin e menduar. Së bashku me nipin nga Dhërmiu, Spiros i erdhi rasti për t'a realizuar atë, gjatë një udhëtimi për në Korçë. Duke kaluar nga rruga e Këlcyrës e më pas nga ajo e Përmetit, ata qenë ndalur pranë kufirit, në vendin e quajtur Tri Urat. Kishin zbritur aty, në rrjedhën e lumit, gjoja për të mbushur një kanaçe ujë për ftohjen e motorrit të makinës. E pastaj, pa marrë parasysh asgjë, as jetën e as vdekjen, qenë sulur përpara. E kishin qëlluar me fat, sepse munden të çajnë drejt lirisë.
Aty nga fillimi i viteve '70, një tjetër tentativë arratisje provokoi një thashethemnajë të madhe në mbarë opinionin publik të Vlorës. Kësaj here, s'bëhej fjalë për një arratisje të zakonëshme nga kampi i armiqve, por përkundrazi, nga rradhët e kuadrove.
Mbas një kariere të shkurtër, Shyqyri D, dikur ish-kryetar i Komitetit Egzekutiv të qytetit, në fund kish përfunduar zv/drejtor i fabrikës së çimentos. Si i tillë, ai shoqëronte një grup specialistësh rumunë, të cilët punonin për montimin e një teleferiku që thuhej se do t'a lehtësonte tepër koston e transportit të lendës së parë, nga gurrorja e Shashicës në fabrikë.
Një fundjave, për të zbavitur specialistet e huaj, drejtoria e fabrikës kish organizuar një eskursion, me itinerar bregdetin e Himarës e qytetet e Sarandës dhe Gjirokastrës. Siç do të mësohej më vonë, kryetari i grupit, Shyqyri D do t'a shfrytezonte shëtitjen për të realizuar diçka tjetër: arratisjen jashtë vendit. Një mbrëmje, ndërkohë që ndodheshin në Gjirokastër, ai kish dalë vetëm e nuk qe kthyer më në hotel. Të shqetësuar, pjestarët e grupit kishin njoftuar policinë, e cila qe venë menjëherë në kërkim të të zhdukurit.
Shyqyri D, duke mos njohur terrenin, ish endur për ditë të tëra maleve. Në fund, qe pikasur nga policia në Malin e Thatë hipur mbi një pemë, i urritur dhe i nxirrë nga cfilitja e të ftohtit. Aso kohe, u dëgjuan shumë variante lidhur me motivet e tentativës së tij për arratisje. Nga autoritetet zyrtare, ngjarja qe kaluar anash e ish cilësuar si lajthitje e veprim prej psikopati. Procesi i tij gjyqesor u zhvillua në Vlorë e, përfundimisht, Shyqyriu e mbylli karierën me 15 vjet burg, të cilat s'mundi t'i kryejë plotësisht sepse vdiq në burg, më 1983. 1)
... Një natë dimri të vitit 1974, efektivi i degës së Punëve të Brendëshme në Vlorë, u ngrit në alarm të përgjithshëm. Qysh prej disa ditësh, një grup të rinjsh nga Narta qenë zhdukur pa lenë gjurmë e, këshilli popullor i fshatit kish njoftuar policinë. Fill pas kësaj u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Ndërkohë, me urdhër nga Tirana, në akset kryesore të rrugëve nacionale u ngritën postë-blloqet si dhe kërkimet pranë zonave kufitare të vendit. Por, qe tepër vonë. Grupi, i përbërë nga katër nartiotë dhe i kryesuar nga Llazar K, kish kaluar kufirin e ndodhej tashmë në Greqi.
Të veshur me rrobat ushtarake të zborrit, ata kishin mundur të depërtonin pa renë në sy e pa tërhequr vemendjen gjer në zonën kufitare të Përmetit, aty ku një prej tyre kish kryer shërbimin ushtarak e njihte mjaft mirë terrenin. Duke u fshehur gjatë ditës nëpër shkurre, e duke udhëtuar vetëm natën, ata kishin arritur në klon. Pastaj, për të mënjanuar tensionin elektrik dhe sinjalizimin e postës kufitare, për gjithë natën e gjer në agim kishin punuar si të marrë e me një rritëm të jashtëzakonshëm. ( Ashtu siç dinë të punojnë vetëm nartiotët ). Së fundi, me ndihmën edhe të lopatave xhenjere, kishin arritur të hapin një tunel poshtë telave me gjëmba të klonit.
Në mengjez, pa rënë drita mirë, grupi i urithave kish kaluar në tokën asnjanëse, e më pas, në territorin grek ...
Por, kjo histori nuk mbaroi me aq !
Çudia më e madhe, kish ndodhur mbas një viti.
1) Sipas tregimit të Spiro P. Athinë. Korrik 2000
- 4 -
Atëhere kur, i arratisuri Llazar K. ish kapur nga rojet e kufirit, por kësaj rradhe teksa po kalonte nga Greqia për në ... Shqipëri. Mbas disa muajsh hetimesh, në kino-klubin Perlat Rexhepi të Vlorës u organizua një proces gjyqësor publik, ku me lista e ftesa të posaçme qenë thirrur për të marrë pjesë, kuadro e punonjës nga shumë qendra pune e prodhimi.
Ata, të cilët kanë qenë të pranishëm në atë proces, tregojnë se Llazar K. ndër të tjera, pat dëshmuar se kish hyrë ilegalisht në Shqiperi i ngarkuar me detyra speciale nga asfalia greke. Sipas udhëzimeve të saj, misioni i tij ish të binte pikërisht në duart e Sigurimit, të gjykohej, të denohej e të burgosej. Pas kësaj, pikërisht në burg, ai duhej të kontaktonte me një agjent të burgosur të shërbimeve të fshehta greke, të cilit, duhej t'i komunikonte disa porosi top secret. Për atë shërbim të çmuar, sipas deponimve të thëna prej tij në gjyq, fill mbas përmbysjes së pushtetit popullor, ( gjë e cila do të ndodhte shumë shpejt ), Llazar K. do të shpërblehej, duke u bërë pronar i gjithë tokave të fshatit Nartë. ( ? )
Sipas rrëfimit, në aparencë, gjithëçka dukej e besueshme. Armiqtë, nuk pushonin së thurruri plane, për të minuar ndërtimin e socializmit në Shqipëri duke tentuar të ngrinin në vend rrjete agjenturore. Në fakt, me të pandehurin, ish punuar mjaft mirë. Në ato çka deklaronte, ai s'bente as gabimin më të vogël. Leksionet e marra në hetuesi, ishin mësuar përmendësh e deklaroheshin pa luajtur asnjë presje. Por duket se, e vërteta duhet të ketë qenë krejt ndryshe. Ka shumë të ngjarë që vetë Sigurimi, t'a ketë sjellë Llazar K. si pako postale nga jashtë, ( apo ndofta t'a ketë shkëmbyer me ndonjë agjent grek të kapur në Shqipëri ).
Natyrisht gjithë kjo, kish një mesazh tepër të rendësishëm. Në menyrë të veçantë për banorët e fshatit grekofon e plot probleme të Nartës. ( Fshat i cili, vazhdimisht i kish sjellë telashe jo të pakta Partisë në rreth e që, ish gjithmonë në qendër të vemendjes së punës së organeve të Sigurimit ). E, jo vetëm për Nartën, por dhe më tej. Mesazhi, pra, ish më se i qartë. Kushdo, që do tentonte të arratisej, do përfundonte si Llazari, i cili, mbas procesit gjyqësor, u dënua me vdekje me pushkatim.
Nisur nga kjo ngjarje, ndofta, dikush mund të bëjë pyetjen:
A qe e mundur që, një i arratisur, të rrëmbehej e të kthehej përsëri në vend ? !...
Së pari, duhet thenë se, midis Shqipërisë e shteteve fqinj, në periudha të ndryshme kohore, kanë egzistuar marrëveshje sekrete për kthimin mbrapsh të të arratisurve. I tillë ka qenë, për shembëll, akordi i fshehtë me autoritetet jugosllave, të cilët në bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit kthyen mjaft të arratisur që përfunduan burgjve e kampeve të punës. Pikërisht, në atë kuadër, egzistonin e bëheshin edhe takime të fshehta, për shkëmbime agjentësh të kapur etj.
Së dyti, e vërteta ka qenë se kur ndodhte të arratiseshin individë tepër të rendësishëm, Sigurimi i ndiqte ata pas kudo që shkonin. Për atë qëllim, në ministrinë e Punëve të Brendëshme, sipas disa të dhënave gojore, ka egzistuar një sektor i veçantë i cili merrej me organizimin e atentateve politikë dhe rrëmbimin e individëve të arratisur.
( Zëra të ndryshëm në Tiranë përcaktonin bile se, Vila e Gjelbërt, një ndërtesë misterioze dhe e heshtur diku midis Postës Qendrore të Tiranës e Albimportit, ishte vetë selia e atij sektori tepër sekret i cili organizonte aksionet speciale në fjalë ).
Agjentët e kundërzbulimit shqiptar, të fshehur rëndom nën petkun e diplomatëve të ambasadave, i ndiqnin ata nga pas e këmba-këmbës. Shpesh, për të siguruar ekstradimin e tyre,organizmat speciale të vendeve të huaja, informoheshin me dokumente të falsifikuara nga kundërzbulimi, ku thuhej se, bie fjala, filan person i arratisur nga Shqipëria, ishte një kriminel ordiner ose edhe agjent i vetë Sigurimit shqiptar.
Rrjedhimisht, nuk kanë qenë të pakët rastet kur, shërbimi i fshehtë ka arritur të egzekutojë apo të rrëmbejë me aksione speciale, njerëz të tillë e t'i bjerë ata në Shqipëri. Natyrisht që, më i lehtë, pa telashe e me kosto të ulët, ka qenë eleminimi i tyre fizik, aty ku ata ndodheshin. Në vitet '50, me metoda nga më të ndryshmet, jane eleminuar shumë pjestarë të mërgates antikomuniste shqiptare. Ndërsa, në vitet '60 e më pas, sipas dëshmive të një agjenti anonim shqiptar në shtypin e huaj, për atë qëllim janë përdorur pistoleta elektrike të prodhimit sovjetik me silenciator e në formën e një pakete cigareje e cila godiste me plumba cianuri.
Në vitet '70, u vu në përdorim një aparat tjetër i vogël xhepi, prodhim kinez, i cili mund të hidhte në fytyrën e viktimës një spruco me avuj cianogjenë, të cilët shkaktonin infrakt zemre të menjëhershëm. ( Gjatë autopsisë, s'gjendej asnjë gjurmë avujsh dhe, ekspertiza ligjore konkludonte se, vdekja ish rrjedhim i një infractusi klasik. Me këtë rast, ndër të tjera, i kujtojmë lexuesit, vdekjen misterioze të sportistit të shquar A.Kondo, i cili u cilësua I vdekur aksidentalisht, por që dyshohet të jetë eleminuar nga shërbimet e fshehta shqiptare në SHBA )
__________________
Në faktin se jemi askushi dhe nuk kemi me të vërtetë kurrgja. Sa më pak kemi, aq ma tepër mundemi me dhan. Duket diçka e pabesushme, por kjo ashtë llogjika e dashunis.
Denonco këtë mesazh tek moderatorët | IP: e regjistruar
|